Monday , February 19 2018

Futbolli shqiptar dhe paradoksi me stadiumet

Futbolli shqiptar ka pësuar sigurisht rritje, sepse mjafton fakti që skuadrat shqiptare nuk kënaqen vetëm me pjesëmarrjen apo edhe kalimin e një turi në Kupat e Europës, por guxojnë edhe të marrin pjesë në grupet e Europa Ligë. Rasti i një viti më parë i Skënderbeut është ilustrimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij fakti. Por, edhe pse futbolli ka pësuar rritje dhe një pjesë e klubeve e krahasojnë veten me simotrat në Europë, futbollit shqiptar nuk i mungon as ana e errët dhe që nxjerr në pah gjendjen ku ndodhet, nga e cila vuajnë shumë klube në vendin tonë.

Nga njëra anë kemi stadiume të reja dhe që plotësojnë parametrat për ndeshje ndërkombëtare, siç janë “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, stadiume këto të rikonstruktuara kohët e fundit. Përgjithësisht klubet elitare kanë një infrastrukturë deri-diku të mirë duke e krahasuar me nivelin e futbollit shqiptar dhe për më tepër po të kujtojmë se nga kemi ardhur. Gjithsesi, është për të ardhur keq që edhe pse janë stadiume të reja mungojnë tifozët në shkallët e tyre për të ndjekur skuadrat që bëjnë tifo.

Nëse tifozët e skuadrave që kanë stadium vendosin të mos shkojnë për ta parë nga afër është problem i tyre, por kur një ekip nuk ka stadium është një problem i futbollit. Në Superiore një ekip legjendë si Partizani nuk ka stadium dhe luan jashtë Tiranës. E pafalshme! Korabi i sapongjitur në Superiore vetëm si emër i përket Peshkopisë, sepse nuk ka stadium ku të luajë dhe tifozët e këtij ekipi nuk kanë kënaqësinë që në fundjavë të shohin futboll në qytetin e tyre.

Në Kategorinë e Parë Sopoti me Turbinën nuk luajnë në qytetet e tyre, sepse nuk kanë stadium momentalisht, duke u detyruar që të luajnë larg Cërrikut dhe Librazhdit. Çështje këto që duhet të zgjidhen menjëherë, sepse është jashtë çdo logjike që ekipet të cilat përfaqësojnë një qytet, të mos luajnë në qytetet e tyre për faktin se mungon stadiumi. Duam tifozë në stadium, por stadiume nuk kemi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: