Thursday , February 22 2018

Ish-banori i “BB2 rrezikon deri në 8 vjet burg. Ja pse

Një banor i “BB2”, Elton Tozaj, rrezikon deri në 8 vjet burg pasi u merrte njerëzve shuma parash, duke u premtuar kredi e qera të ulëta. Ai kishte zgjedhur që të prezantohej si punonjës i Bashkisë apo Ministrisë së Brendshme dhe duke u premtuar njerëzve kredi me norma të buta interesi, u zhvaste atyre shuma të konsiderueshme parash.

Në këtë mënyrë e kishte organizuar skemën e mashtrimit Elton Tozaj, i cili rrezikon një dënim deri në 8 vjet burg, për mashtrime ndaj disa personave dhe falsifikim dokumentesh.

Sipas Prokurorisë, në të paktën tre raste, Tozaj u ka marrë viktimave të tij nga 300 mijë deri në 650 mijë lekë të reja, pasi i ka mashtruar se do t’i fuste në listën e personave që përfitonin kredi të buta nga Bashkia, shkruan “Top Channel”.

Elton Tozaj e bënte edhe duke u paraqitur viktimave formularë apo dokumente që i falsifikonte me firmën e ministrit Saimir Tahiri, ose të titullarëve të tjerë të lartë.

Madje, në një rast ai ka mashtruar edhe një biznesmen, të cilit i premtoi se do ta rregullonte që të merrte me qera vilën 31 në zonën e ish-Bllokut.

Për këtë mashtrim të radhës, Tozaj ka marrë një shumë prej 7 mijë dollarësh dhe 5 mijë eurosh, ndërsa çimimi i qerasë do të ishte 3 dollarë për m2.

Por duket se këto mashtrime ishin kthyer në një mani për të pandehurin, pasi vite më parë ai kishte qenë sërish i dënuar për të njëjtën akuzë, pasi mashtronte personat e interesuar për t’u pajisur me dëshminë e taksistit dhe u merrte atyre shuma që varionin nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë të reja.

Edhe këtë mashtrim ai e realizonte duke u prezantuar si këshilltar i ministrave të ndryshëm, si dhe duke paraqitur dokumente të falsifikuara. Pas pretencës së Prokurorisë, e cila kërkoi për Elton Tozaj 8 vite burg, pritet vendimi i gjykatës. /albeu.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: