Thursday , February 22 2018

Kampionati shqiptar, aty ku askush nuk merr guximin të parashikojë

Në një kampionat me dhjetë skuadra, të kesh katër prej tyre që luftojnë për titullin kampion është një luks dhe të bën ta ndjekësh javë pas jave. Me një Skënderbe që vjen pas gjashtë titujve kampionë radhazi dhe disi të dobësuar, një Kukës që duket sikur e ka seriozisht këtë sezon për të dalë i pari, si edhe me kryeqytetaset si Partizani dhe Tirana që e duan një titull edhe për shkak të “presionit” të tifozëve, me shumë gjasa tifozët dhe nostalgjikët e futbollit shqiptar do jenë të “mbërthyer” për të parë se çfarë ndodh në Superligë.

Si tifozë të asnjë skuadre, por të futbollit, të gjithë dëshirojnë që kjo garë të vazhdojë sa më gjatë dhe asnjë ekip të mos krijojë shkëputjen dhe të dalë jashtë objektivave. Për fat të keq, në tri ndeshjet që kanë mbetur për këtë vit, ku nuk do mungojnë përballjet direkte, ndoshta dikush duhet t’i thotë “lamtumirë” ëndrrës për titullin kampion. Më e rrezikuar është Tirana, sepse ndohet disi më mbrapa me pikë, por gjithsesi determinante për katër ekipet e kreut mund të jetë edhe merkatoja e janarit.

Megjithatë, nëse lufta për kreun është e ngjeshur edhe e fortë, kjo vjen edhe si pasojë e skuadrave që renditen më poshtë, të cilat nuk lëshojnë “pe” dhe marrja e tri pikëve nuk është një mision i lehtë. Me Vllazninë që ia del të mbijetojë në Superligë me talentet që prodhon dhe traditën që mbart mbi supe, Flamurtarin që me rikthimin e milionave premton të bëjë një kampionat serioz, pa harruar Luftëtarin e sapo ngjitur që ka krijuar një ekip simpatik.

Edhe pse pikët nuk përligjin formën e mirë, Teuta me rikthimin e Maganit nuk është lehtësisht e thyeshme, Laçi ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, por të merr pikë atëherë kur nuk e pret. Edhe Korabi që duket një ekip i rënë, tregoi se do të jetë një “kockë” e fortë për të gjitha skuadrat dhe këtë e provoi Tirana në “Selman Stërmasi”. Lufta nuk është interesante vetëm përsa i përket trofeut të kampionatit, por edhe mbijetesës, e cila herë-herë bëhet edhe më e egër sesa ajo për titull kampion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: