Wednesday , December 13 2017

Mobina Jaffer, rruga ime drejt suksesit

Mobina S. B. Jaffer, e lindur më 20 gusht 1949 në Kampala, Uganda, është senatore në parlamentin Kanadez. Ajo është gruaja e parë e Afrikës Jugore e emëruar në Upper House.

Në vitin 2002, ajo u emërua si e dërguara e posaçme për procesin e paqes në Sudan nga Qeveria e Kanadasë. Po atë vit, ajo ishte Kryetare e Komitetit Kanadez për Gratë, Paqe dhe Siguri.

Gjithashtu Mobina S. B. Jaffer është pjesë e bordit drejtues të organizatës ICAN. Një organizatë e cila në misionin e saj ka mbështetjen për aktivizmin e shoqërisë civile, në promovimin e të drejtave të grave, paqen dhe sigurinë njerëzore në vendet e prekura nga konflikti, tranzicioni dhe hapësira e mbyllur politike.

Në një intervistë të realizuar nga Rudina Çollaku, presidente e Qendrës së Gruas për Zhvillim dhe Kulturë znj. Jaffer ka folur për arritjet dhe për vështirësitë e hasura përgjatë rrugës së suksesit të saj.

 Përshëndetje znj. Jaffer

Përshëndetje

Më flisni pak për veten tuaj, kur keni ardhur në Kanada?

Për herë të parë në Kanada kam ardhur në moshën 21 vjeçare, madje isha e martuar.

Pse zgjodhët Kanadanë?

Zgjodha Kanadanë për shkak të babait tim, sepse babai donte që fëmijët e tij të kishin një të ardhme më të mirë dhe mundësi më të mira në jetë. Ne jemi familje indiane dhe gjyshërit e mi kanë lindur në Indi, ndërsa prindërit e mi, unë, madje edhe bashkëshorti im jemi të lindur në Afrikën e Jugut. Për këtë arsye babai im vendosi se nipërit e mbesat e tij nuk do të lindnin në Afrikën e Jugut, por në një vend ku mundësitë janë shumë më të mëdha se ç’mund të ofrojë një vend si Uganda. Kështu që ne erdhëm në Kanada.

Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur si fillim?

Kam kaluar shumë vështirësi. Profesioni im ishte avokate, pasi isha e diplomuar për juridik por ishte shumë e vështirë që të bëhesha një juriste, sepse diploma ime nuk u njoh në Kanada. Kështu që mu desh të nisja mësimet nga e para që të merrja kualifikimin e nevojshëm, por që ja arrita shumë shpejt.

Kur vendosët të merreshit me politikë?

Në fakt, babai im ka qenë deputet në parlament. Kur vendosa të merresha me politikë isha në një moshë relativisht të re, por ne ishim emigrantë dhe si emigrantë mendoja se kurrë nuk do ta arrija këtë. Kur erdha në Kanada, dikush më tha pse nuk bashkohesh me partinë, vetëm gjashtë muaj pas ardhjes në Kanada. Unë isha entuziaste për çdolloj pozicioni brenda partisë. Kështu që kryeministri i Kanadasë më propozoi për në Senatin Kanadez pasi në Kanada nuk ka zgjedhje elektorale, por propozime.

Si e koordinon pjesën e të qenurit një grua në politikë dhe të qenurit një nënë?

Jam vërtet me fat që kam fëmijë të mirë. Vajza po mbaron gjimnazin ndërsa djali ka mbaruar universitetin. Ndërkohë bashkëshorti im ka qenë një ndër mbështetësit më të mëdhenj të karrierës sime, gjithashtu edhe prindërit e mi.

Është shumë e vështirë të jesh një politikane në Kanada, sepse Kanadaja është një vend shumë i madh, por kam një mbështetje absolute të familjes sime dhe në këtë mënyrë ja arrij t’ia dal me sukses.

Unë përdor atë shprehjen tipike:  “Njëra dorë lanë tjetrën, të dyja lajnë fytyrën”.

Cilat janë disa nga pikat e suksesit tënd?

Unë asnjëherë nuk heq dorë, jam shumë këmbëngulëse në të gjitha gjërat, madje atëherë kur më thonë që kjo nuk bëhet, unë i mëshohem më fort asaj gjëje që të vërtetoj të kundërtën. Të dorëzohesh është gjëja më e shëmtuar në jetë. Gjithashtu një ndër strategjitë e mia dhe rregull të cilin e kam mësuar nga prindërit e mi është respekti i kohës së të tjerëve, formulë të cilën do e ndaj dhe me ju.

Rregulli “10 minuta”. Politikanët njihen për axhendën e ngarkuar  që kanë dhe kërkesat e takimet që mund të kenë në ditë. Mirëpo nëse ju respektoni kohën e tyre dhe jeni të qartë e strateg të mirë në bisedë do të arrini të merrni atë që dëshironi. Në çdo takim që kam kërkuar kam qenë e qartë dhe studiuar për personin me të cilin do takohem dhe nga 10 minuta kam harxhuar 9 minuta.

Çfarë këshillash keni për brezin e ri?

Mos dëgjoni askënd, nëse keni një ëndërr ndiqeni atë dhe punoni me të vërtet shumë fort për të arritur atë që doni. Jini shumë këmbëngulës. Mos u dorëzoni asnjëherë!

Ju faleminderit!

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: