Wednesday , December 13 2017

Nëna e profesorit të arrestuar në Turqi mes lotësh: Ç’ka ndodhur me djalin tim

Familja Debrova me banim në Elbasan është duke përjetuar një shok të vërtetë. Djali i saj, Mariglen Debrova, ka 2 javë që është arrestuar nga autoritetet turke në Ankara. Mes lotësh, nëna e djalit tregon se ka dy javë që ka shkëputur lidhjet me djalin. Pasi ka humbur kontaktet, është interesuar tek Medreseja Cërrik, për të mësuar diçka më tepër pasi atje djali i saj ka përfunduar shkollën. Atje i kanë thënë se djali është arrestuar.

Nëna e 32 vjeçarit shprehet se djali ka mbaruar studimet në Egjipt ku ka qëndruar për 4 vjet. Prej 2 vitesh banonte në Turqi me bashkëshorten turke Ecyra me të cilën kanë një vajzë 2 vjeçe, Evra. Prej disa kohësh bashkëshorten ia kishin hequr nga puna, ndërsa ai vetë kërkonte vazhdimisht punë. Por deri para dy javësh sipas saj djali nuk i kishte paraqitur asnjë shqetësim. Madje flisnin krejt normalisht në Skype.

Nëna e Mariglenit apelon për ndihmë. Ajo gjithashtu tregon se dikush i ka shkuar në familje dhe i ka kërkuar 7 mijë euro për ta ndihmuar për të nxjerrë djalin nga burgu. Por e moshuara shprehet se nuk ka të holla, se jeton vetëm me bashkëshortin dhe se e vetmja mundësi është që të shesë shtëpinë e të mbetet në mes të katër rrugëve. Ndaj ajo i bën një apel strukturave të shtetit që të interesohen për fatin e djalit të saj.

Mbesa e saj Evra jeton me gjyshërit, por komunikimi me ata është i pamundur. Mendohet se arrestimi mund të ketë prapavojë politike dhe Mariglen Debrova dhe bashkëshortja e tij janë arrestuar si Gylenistë. Gjithsesi asgjë nuk dihet zyrtarisht për momentin dhe familja me banim në Elbasan kërkon pikërisht sqarimin e arsyeve të arrestimit. Infoelbasani.al

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: