Wednesday , May 23 2018

PRAPAVIJA POLITIKE NË SULMIN TERRORIST TË EGJIPTIT DHE TURQISË

Jona Koprencka 

Edhe pse skena ndërkombëtare është e pushtuar nga ngjarjet më të fundit që po ndodhin në Alepo të Sirisë, ku drejtësia dhe humanizmi janë vënë në pikëpyetje si pasojë e bombardimeve dhe humbjeve të jetëve në masë, nuk duhet të harrojmë se një nga shqetësimet më kryesore janë edhe sulmet terroristë. Më të fundit i përkasin Stambollit dhe Kajros.

Grupi terrorist Isis ka marrë përsipër autorësinë e këtyre sulmeve dashakeqe ku kanë humbur jetën dhe janë plagosur persona të shumtë. Shpërthimi afër një katedraleje kopte në kryeqytetin Kajro të Egjiptit, i ka marrë jetën 25 personave dhe plagosur 49 të tjerë. Sipas të dhënave të agjencia zyrtare e lajmeve e egjiptiane, MENA është raportuar se ky sulm është shkaktuar nga një sulmues me bombë në kishën Shën Pjetri, afër katedrales, ku gjendet selia e Kishës Ortodokse Egjiptiane.

Ky akt dashakeq ka ndikuar negativisht në jetën social-politike të Egjiptit, ku përpos problemeve të jashtme, vendi është i përfshirë në problematika të shumta të brendshme. Marrja përsipër e autorësisë së ngjarjes nga grupi terrorist  Isis tregon edhe një herë kauzën e tij mizore në përhapjen e dhunës dhe kaosit.

“Akti terrorist në  kishën e Kajros  është sinjal i dobësimit të forcave terroristë të isisit për shkak të humbjes së terrenit në Mosul, në Siri dhe në vende të tjera të lindjes së Mesme. Humbja e territorit edhe në gadishullin e Sinait në Egjipt, si pasoje e marrjes në kontroll të kësaj zone nga ushtria vendase  i ka shtyrë terroristët të ndërmarrin një akt të tillë. Nëse duam të analizojmë situatën nuk kemi të bëjmë me një akt terrorist ku kamikazi shpërthen me qëllim që të marrë sa më shumë jetë njerëzish. Ky akt mizor ka ndodhur parapa kishës së Shën Pjetri, afër katedrales, ku gjendet selia e Kishës Ortodokse Egjiptiane. Nga vendndodhja kuptojmë se pas këtij sulmi kemi të bëjmë me një prapavijë politike ku qëllimi i terroristëve është përçarja fetare. Në mazhorancë popullsia egjiptiane i përket besimit fetare islam, por kemi të bëjmë edhe me një pakicë prej 5 milion besimtarësh Kopt që jetojnë aty. Shtimi i problemeve sociale me karakter fetar, por edhe përçarja fetare e popullatës janë synimi kryesor i këtij sulmi mizor që erdhi si kundërpërgjigje e marrjes se gadishullit të Sinait nga ushtria vendase. Siani është një pikë strategjike transkontinentale që lidhë Egjiptin me Izraelin dhe  Rripin e Gazës. Shohim sesi ky sulm në target të tij nuk ka vetëm marrjen e jetës së qytetarëve por shtimin e përçarjeve fetare dhe nxitjen  e tensioneve të brendshme”, shprehet Dr. Arben Ramkaj Kryetari i Qendrës për Bashkëpunim Ndërfetar.

Një tjetër vend i prekur nga sulmet mizore terroriste është Turqia. Stambolli për të disatën herë është goditur nga një sulm i dyfishtë që i ka marrë jetën rreth 40 njerëzve dhe kanë plagosur më shumë se 160 persona. Kjo ngjarje ishte pjesë e një serie sulmesh që organizatat terroriste po kryejnë kundër Turqisë, një  vendi që është bërë një shtet avant-gardë në luftën kundër terrorizmit.

Duke qenë gjeografikisht një vend kufitar më Siri dhe një portë hyrëse në Lindje, Turqia është shënjestruar disa herë nga grupet terroriste. Qëllimi i sulmeve në shtetin turk synon që të dobësojë në mënyrë të drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë. Sa më i dobët shteti turk aq më lehtësisht do të kryejnë aktivitetin grupet terroriste, jo vetëm në sulmet e tyre, por edhe në kalimin si vend transit; sa më i fortë të jetë shteti turk aq më të vështirë do ta kenë terroristët në kryerjen e aktivitetit të tyre.

“Është lehtësisht e perceptueshme që terroristët kërkojnë destabilitetin e brendshëm turk. Duke u ndodhur në kufi me Sirinë dhe duke qenë një nga vendet që ka dhënë një ndihmë të konsiderueshme në çështjen siriane dhe në luftën globale kundër terrorizmit, forcat e rendit turk janë shënjestruar sërish nga terroristët. Duke marrë parasysh disa probleme të brendshme me YPG dhe PKK, terroristët e Isisit kërkojnë të destabilizojnë rendin dhe jetën sociale të Ankarasë” është shprehur Dr. Ramkaj për sulmin e Stambollit.

Nëse në fillim të fushatës së tyre goditëse, terroristët e Isisit kishin për qëllim shkatërrim dhe marrjen e jetëve, sot shohim se dimensioni i tyre goditës ka marr një trajtë tjetër. Në këto sulme të fundit terroristët kanë dashur të përçojnë mesazhin e përçarjes fetare, rriten e islamofobisë,rasti i Egjiptit (ku në qendër të sulmit ishte kisha e  Shën Pjetri), dhe destabilitetin e brendshëm për vende që shërbejnë si portë hyrë se Lindje( rasti i Turqisë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *