Thursday , February 22 2018

Qeveria koncesion për djegien e 800 ton plehrave në ditë

Qeveria shqiptare ka gati planet për ndërtimin e një incerneratori të tretë për djegien e plehrave, pasi ka angazhuar deri tani 7.3 miliardë lekë për dy incerneratorë të tjerë në Elbasan dhe Fier.

Qeveria shqiptare miratoi javën e kaluar pranimin e një oferte të pakërkuar për koncesion dhe dhënien e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy B.V.”, Sh.p.k, për “dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese të Tiranës”.

Sipas një relacioni të Ministrisë së Mjedisit, i cili është publikuar jo në faqen e Ministrisë së Mjedisit, por në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, kompania koncesionare, e cila nuk rezulton të jetë e regjistruar në Shqipëri por në Hollandë, është nën pronësinë e kompanisë shqiptare “Integrated Technology Services sh.p.k” dhe kompanive “Paul Ëurth Italia S.P.A” & “Energy Recuperator S.P.A.”

Qeveria e miratoi dhënien e bonusit për këtë kompani duke nënkuptuar hapjen e një tenderi, ndërkohë që analiza ekonomike dhe mjedisore e këtij projekti nuk është publike dhe nuk është konsultuar me publikun, duke shkelur konventën e Aahrusit, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 2001 dhe që kërkon që çdo projekt me impakt mjedisor të konsultohet paraprakisht me publikun e zonës së ndikuar nga ky projekt.

Relacioni i publikuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili është një opinion mbi anën ligjore dhe jo ekonomike apo mjedisore, jep disa të dhëna mbi projektin. Ajo thotë se investimi i planifikuar është 140 milionë euro dhe afati i koncesionit është 30 vjet. Projekti premton mbylljen e vend-depozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impjanti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin, krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impjant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave.

Koncesionari argumentohet se do t’i nxjerrë fitimet e tij duke arkëtuar një tarifë për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e qarkut të Tiranës, nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e plehrave si dhe nga rekuperimi i materjaleve të riciklueshme.

Qeveria shqiptare ka dhënë më herët edhe dy koncesione të tjera për ndërtim të impjanteve të djegieve të plehrave në Elbasan dhe Fier, përmes dy kontratave koncesionare të financuara nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, incerneratori i Elbasanit do t’i kushtojë taksapaguesve 3.3 miliardë lekë për shtatë vitet e kontratës së koncesionit ndërsa incerneratori i Fierit do t’i kushtojë taksapaguesve 4 miliardë lekë përgjatë gjashtë viteve të kontratës së koncesionit. Incerneratori i Fierit duket se është i lidhur me të njëjtën kompani që ka bërë kërkesën për koncesion për incernetatorin e Tiranës.

Për të dyja projektet, informacioni i ofruar nga autoritetet është minimal dhe konsultimi publik para nënshkrimit të kontratave duket se nuk është kryer. Në Fier, banorët e zonës ku është planifikuar ndërtimi i incerneratorit si dhe të vetë qytetit të Fierit protestuan ashpër gjatë muajve të fundit duke bllokuar efektivisht ndërtimin e tij.

Ndërtimi i incerneratorëve vjen në një kohë ku në Shqipëri vijon debati i ashpër mbi lejimin apo jo të importimit të mbetjeve në Shqipëri, ku aktivistët kanë shprehur shqetësimin se vendi ynë mund të kthehet në një gropë për plehrat e Europës. Ligji që lejon importin e mbetjeve “për rekuperim” në Shqipëri, ku rekuperimi përfshin edhe shfrytëzimin e përmbajtjes energjetike të mbetjeve përmes incernerimit, u rikthye në Kuvendin e Shqipërisë nga Presidenti Bujar Nishani në tetor dhe ka mbetur i bllokuar në Kuvend për shkak të protestave të shumta të aktivistëve mjedisorë./BIRN/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: