Monday , February 19 2018

“Shkopi” në dorën e FSHF-së, ja si po dëmton klubet shqiptare

Kampionati shqiptar startoi i fundit në Europë, pasi më parë duhet të luante Kombëtarja Shqiptare me Maqedoninë. Rast unikal ky, sepse po të ecej me këtë logjikë, edhe kampionatet e tjera në Europë duhet të fillonin pas ndeshjes së parë të Përfaqësueses së tyre, por në fakt nuk ndodhi kështu dhe startuan që në muajin gusht. Në Shqipëri nisi më 7 shtator, disa javë pas të tjerëve, edhe pse nga kampionati shqiptar lojtarët që luajnë me Përfaqësuesen janë me “pikatore” dhe për më tepër qëndrojnë në stol apo tribunë.

Edhe pse në fillim pati kritika për këtë motivim që bëri FSHF-ja, sërish ky problem u la në harresë dhe kampionati startoi normalisht me problematikat e veta. Gjitshesi, nëse nisja e kampionatit ishte shumë më vonë sesa ajo e simotrave në Europë, mbyllja e tij pak a shumë është në të njëjtën periudhë. Deri atëherë Superliga shqiptare duhet të ecë me ritmin e kampionateve përtej vendit tonë, në mënyrë që edhe ky kompeticion të përfundojë atëherë kur duhet.

Për fat të keq, zgjidhja për të rikuperuar javët e humbura të fillimit me shumë vonesë, është ngjeshja e ndeshjeve këtë periudhë, me ekipet shqiptare që luajnë çdo tri ditë, thjesht për faktin e një kapriçoje të FSHF-së. Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur shpesh kështu, por kulmi ka aarritur këto javët e fundit, atëherë kur edhe lufta është bërë më e nxehtë. Kështu, për 12 ditë do të zhvillohen katër ndeshje. Dy janë luajtur dhe mbeten edhe dy të tjera, për të mbyllur kështu edhe dy fazat e para të kampionatit apo gjysmën e tij, ku edhe do të përcaktohet kampioni i dimrit.

Në fund ata që e pësojnë janë vetë klubet shqiptare, të cilat nuk e ngrenë zërin atëherë kur duhet, duke lejuar që situata të percipitojë deri në këtë pikë. “Shkopi” është në dorën e FSHF-së dhe për aq kohë sa të gjithë aktorët në futboll do pajtohen në heshtje me çdo vendim, edhe pse realisht dëmtohen, atëherë institucioni më i lartë i futbollit në vend do ta përdorë sipas dëshirës së vet fuqinë e “shkopit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: