Friday , May 25 2018
Loading...
Loading...

Si mashtroi Eltoni i BB me dhënien me qira të vilës së Enverit dhe firmën e …

Prokuroria e Tiranës kërkon 8 vjet burg me akuzën e mashtrimit për Elton Tozajn, ish banor i Big Brother, i riu që prezantohej si punonjës i Bashkisë së Tiranës dhe i Ministrisë së Brendshme, duke mashtruar qytetarët.

I pandehuri, sipas Prokurorisë, ka përfituar shuma të mëdha monetare duke mashtruar qytetarë të ndryshëm, por edhe biznesmenë, të cilëve u premtonte kredi me interesa të buta në Bashkinë e Tiranës, raporton “Panorama”.

Organi i akuzës që ka dërguar për gjykim të riun, pretendon se në të paktën tri raste ka arritur të dokumentojë rastet e mashtrimit nga Elton Tozaj. Ky i fundit, sipas Prokurorisë, ka arritur që të falsifikojë edhe firmën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për t’u bërë sa më i besueshëm “para viktimave” të tij. I akuzuari është ish-pjesëmarrës në “Big Brother Albania” dhe ish-gazetar.

Mashtrimi me kreditë
Sipas Prokurorisë, mashtrimi me kreditë në Bashkinë e Tiranës ishte një nga mënyrat e veprimit nga ana e Elton Tozajt. Ai fillimisht u prezantohej qytetarëve si punonjës i Bashkisë, më pas u jepte atyre formularë apo dokumente të ndryshme “për t’i përgatitur” dhe më vonë, kundrejt shpërblimit, u premtonte favorizim e ndjekje të procedurës deri në miratimin e kredisë.

Për këto raste, sipas Prokurorisë, Elton Tozaj ka arritur të përfitojë shuma nga 300 deri në 650 mijë lekë të rinj. Ai u premtonte qytetarëve se do t’i ndihmonte që të dorëzonin dokumentin e kërkuar në mënyrë që të kualifikoheshin në listat përfundimtare të përfituesve të kredive me interesa të buta.

Në këto raste, disa personave Tozaj u paraqitej si punonjës i Bashkisë së Tiranësdhe herë si këshilltar pranë këtij institucioni. Ai vishej dhe sillej sikur të ishte vërtet punonjës në këto institucione, duke u përpjekur të bëhej sa më i besueshëm për personat me të cilët kontaktonte.

Firma e ministrit
Në një rast tjetër, sipas Prokurorisë, i akuzuari Elton Tozaj, me precedentë të mëparshëm penalë, ka falsifikuar edhe firmën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Siç bën me dije Prokuroria, në një rast i pandehuri ka mashtruar edhe një biznesmen, të cilit i premtoi se do ta rregullonte që të merrte me qira Vilën 31 në zonën e ish-Bllokut.

Burimet nga hetimi kanë bërë me dije se Elton Tozaj ka marrë një shumë prej 7 mijë dollarësh nga biznesmeni, si dhe 5 mijë euro, ndërsa ka pretenduar se çmimi i qerasë do të ishte 3 dollarë për m². Për ta bërë më të besueshëm mashtrimin e tij, i riu mësohet se përdorte edhe kontrata fiktive, të cilat ua paraqiste viktimave të mashtrimeve që kryente për ta bërë gjithçka sa më të besueshme.

Nga ana tjetër, mësohet se Elton Tozaj, gjatë aktivitetit të vet, ka falsifikuar firma dhe vula, por edhe dokumente të tjera jo vetëm të Bashkisë së Tiranës, por edhe të institucioneve të tjera shtetërore.

Elton Tozaj ka qenë edhe më parë i akuzuar dhe i dënuar për mashtrim. Në rastin e parë mësohet se ai mashtronte personat e interesuar për t’u pajisur me dëshminë e taksistit dhe u merrte atyre shuma që varionin nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë të rinj. Në vitin 2007, asokohe vetëm 29 vjeç, Elton Tozaj u arrestua pasi mashtroi qytetarët se do t’u nxirrte leje për shërbimin taksi, nën petkun e “zyrtarit” të Bashkisë së Tiranës.

Ai hiqej edhe si “këshilltar” i ministrave të ndryshëm, dhe merrte shumën 60 mijë lekë për secilin rast. Elton Tozaj, 29 vjeç, u ndalua për herë të parë më 7 dhjetor 2007 teksa hiqej si punonjës i Bashkisë së kryeqytetit dhe u premtonte qytetarëve se kishte kompetenca për të nxjerrë licenca për taksi.

Asokohe, Tozaj ka arritur të mashtrojë të paktën dhjetë persona, që ushtronin profesionin e shoferit dhe kërkonin leje për taksi.
Ndaj Tozajt në atë kohë ka nisur edhe një hetim për veprën penale të “falsifikimit”, pasi në banesë iu gjetën një sasi materialesh e dokumentesh të dyshuara si false.

Vonesat në marrjen e licencës që u kishte premtuar Tozaj kanë bërë që taksistët të dyshonin te “punonjësi i bashkisë” dhe më pas ta denonconin atë.

Procesi gjyqësor në ngarkim të Elton Tozajt në Gjykatën e Tiranës ka nisur më 1 nëntor të këtij viti. Dosja në ngarkim të tij mban numrin 3880 dhe është depozituar në gjykatë në ditët e para të tetorit.

Në këtë gjykim të kryesuar nga gjyqtarja Shefkie Demiraj, Tozaj përballet me dy akuza, atë të “mashtrimit më shumë se një herë dhe në dëm të disa personave” dhe “falsifikim te dokumenteve më shumë se një herë”.

Deri më tani gjykata ka zhvilluar pesë seanca gjyqësore, tri nga të cilat janë shtyrë, një për mosparaqitje të avokatit dhe të pandehurit, ndërsa dy të tjerat për arsye objektive të gjyqtarit dhe përfaqësueses së Prokurorisë. I pandehuri Tozajpo gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Ky lloj i posaçëm shqyrtimi gjyqësor i garanton të pandehurit uljen e një të tretës së masës së dënimit, në rast se deklarohet fajtor nga gjykata në vendimin përfundimtar. Kërkesa e të pandehurit për gjykim të çështjes në gjendjen në të cilën ndodhen aktet e sjella nga prokuroria, u pranua nga gjyqtarja Demiraj në seancën e datës 15 nëntor.

Tri javë më vonë gjykata u njoh me kërkesën e prokurorisë për deklarimin fajtor të të pandehurit, si edhe pranoi kërkesën e palës mbrojtëse për t’u dhënë kohë për të përgatitur me shkrim konkluzionet e tyre përfundimtare për çështjen. Këto konkluzione, bashkë me pretendimet e të pandehurit Tozaj, pritet të paraqiten në gjykatë në seancën e radhës, e caktuar më 20 dhjetor 2016.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published.