Wednesday , December 13 2017

Termocentralet me qymyr që do të ndotin Ballkanin

Shumica e vendet e Ballkanit Perëndimor mbështeten fuqishëm te termocentralet dhe shumë prej impianteve të reja që po ndërtohen nuk do të përputhen me standardet e sapomiratuara të BE-së për mbrojtjen e mjedisit, paralajmëroi një grup vëzhguesish.

Pothuajse asnjë nga termocentralet e reja të qymyrit të planifikuara në Ballkanin Perëndimor nuk do të përmbushë standardet e fundit dhe më të ashpërsuara të ndotjes në Bashkimin Europian, sipas një analize të re nga Rrjeti CEE Bankwatch, publikuar të martën.

“Natyrisht që hartuesit e projektit hezitojnë të vonojnë projektet e tyre duke bërë rishikime dhe duke marrë masa për t’i përshtatur ata me standardet e reja, por duke mos e bërë këtë tani, ata do të duhet të paguajnë më vonë,” tha Pippa Gallop, koordinator i kërkimit të Bankwatch.

“Kostot shtesë që standardet e reja do të sjellin janë shenjë paralajmëruese për qeveritë se qymyri po bëhet shpejt një burim i papërdorshëm,” shtoi Gallop.

BE miratoi standardin e vet të ri, të ashtuquajturin BREF LCP, më 28 prill të këtij viti.

Ai përcakton teknikat më të mira të mundshme për të kontrolluar ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, si dhe kufijtë e emetimit.

Analiza e Bankwatch shqyrtoi tetë TEC-e me qymyr të cilat kanë një kapacitet prej 2.6 GW në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi, si dhe uzinën Stanari në Bosnje-Hercegovinë e cila filloi nga puna shtatorin e kaluar.

Nga këto tetë TEC-e, katër janë në Bosnje-Hercegovinë dhe nga një në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Pesë nga TEC-et janë të sigurta që nuk do t’i përmbushin standardet e reja, ndërsa për të tjerat nuk ka informacione të mjaftueshme.

“Stanari në Bosnjë-Hercegovinë është ndërtuar tashmë, ndaj nuk është përfshirë në të dhënat tona, por nuk rezulton të jetë në përputhje me standardet e reja bazuar te përshkrimi i lejes mjedisore” tha për BIRN Gallop.

Mospërshtatja me legjislacionin është një problem jo vetëm për vendet aspirante për t’u anëtarësuar në BE, por përbën problem edhe në pajtueshmërinë me legjislacionin vendas, thotë raporti.

Shumica e qeverive në Ballkanin Perëndimor kanë miratuar tashmë legjislacionet ku thuhet se standardi i BE-së duhet të përdoret si bazë lejet e termocentraleve të qymyrit, ndaj këto standarde mbeten për t’u zbatuar sapo të hyjnë në fuqi në BE.

“Tani që kompanitë e elektricitetit në Ballkanin Perëndimor janë të detyruara t’i binden rregullave të tregut të BE-së, ato duhet të bëjnë shumë më tepër për t’u siguruar se investimet e tyre janë financiarisht të zbatueshme dhe t’i rezistojnë të ardhmes,” tha Ioana Ciuta nga i njëjti rrjet.

“Ata nuk mund të shkojnë e t’i kërkojnë shtetit para shtesë për fonde investimi apo të shtyjnë afatet e zbatimit. Ata duhet të fillojnë të shohin përpara dhe të analizojnë nëse termocentralet e tyre do t’i shkaktojnë telashe në të ardhmen,” shtoi ajo./reporter.al

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: